Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Çamëria Sot #Ide dhe Polemika #Lajmet e Fundit

Paramithia martire dhe drejtësia me dy standarde e Presidentit Tasoulas nga Alket Veliu

Dekreti presidencial që i jep Paramithisë statusin e qytetit martir dhe fjalimi i Presidentit Konstantinos Tasoulas nuk kufizohen në nderimin e 49 qytetarëve grekë të ekzekutuar më 29 shtator 1943. Presidenti e shndërron ceremoninë përkujtimore në një akt akuzë kundër shqiptarëve të Çamërisë, duke e paraqitur bashkëpunimin e pretenduar të disa individëve si përgjegjësi të një popullsie të tërë.

Ekzekutimi i 49 grekëve është e dëshmuar dhe pranuar në gjyqin e Nuremberg që ishte hakmarrje e nazistëve për 6 gjermanë të vrarë ne Shtator te 1943, autorësinë e së cilës e morën forcat e EDES, por nazistët kryen një ndëshkim kolektiv një javë pas kësaj vrasje. Deri këtu në fjalimin e vet presidenti Tasoulas është korrekt por dëshira për të përfshirë shqiptarët në këtë krim e tejkalon argumentin llogjik, penal dhe historik të ngjarjes. Edhe nëse dokumentohet pjesëmarrja e ndonjë kolaboracionisti shqiptar në këtë ngjarje, përgjegjësia mbetet individuale. Ajo nuk mund t’i ngarkohet të gjithë popullsisë çame dhe aq më pak të përdoret për të justifikuar atë që ndodhi një vit më vonë. Tasoulas në të njëjtin fjalim është kontradiktor në qendrimin e tij lidhur me përgjegjësinë kolektive dhe individuale. Sipas Tasoulas nazistët kanë ngatërruar përgjegjësinë personale me atë kolektive në rastin e 49 grekëve të vrarë në Paramithi, konstatim i drejtë ky, por të njëjtën llogjik nuk e ndjek për shqiptarët e Çamërisë të vrarë nga forcat e EDES, duke përdorur llogjikën naziste kur vjen për shqiptarët.

Në vitin 1944, forcat e EDES-it të Napoleon Zervës nuk u përballën në Paramithi me një ushtri çame. Ato ushtruan dhunë kundër një popullsie totalisht të paarmatosur. Sipas dokumentacionit dhe listave të viktimave të popullsisë shqiptare të Çamërisë, në Paramithi dhe rrethinat e saj u vranë mbi 700 shqiptarë, ndërmjet tyre gra, pleq dhe fëmijë. Krimet nuk u pasuan nga një proces hetimi dhe gjykimi nga ana e drejtësisë greke. Përkundrazi, drejtues të EDES-it u përfshinë në strukturat shtetërore, morën poste të larta dhe u nderuan publikisht, Zervës vazhdojnë t’i ngrihen buste dhe muze në vendet ku forcat e tij akuzohen se kryen masakra dhe spastrim etnik.

Fjalimi presidencial e përmbys këtë raport historik. Ekzekutimi i 49 grekëve, i kryer në kuadrin e një operacioni nazist hakmarrës, përdoret për të ndërtuar fajësinë kolektive të çamëve. Ndërsa masakrat e mëvonshme të EDES-it ndaj civilëve shqiptarë paraqiten si hakmarrje e kuptueshme ose lihen krejtësisht jashtë narrativës zyrtare. Por krimi i parë nuk e ligjëron krimin e dytë. Viktimat greke meritojnë nderim dhe drejtësi dhe po të njëjtën të drejtë kanë edhe viktimat shqiptare.

Konstantinos Tasoulasi nuk është një amator i historisë apo i së drejtës. Ai është jurist, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, ish-ministër, ish-kryetar i Parlamentit dhe ish-relator i përgjithshëm për rishikimin e Kushtetutës greke. Formimi dhe përvoja e tij nuk i lejojnë “gabime” elementare si ngatërrimi i përgjegjësisë individuale me fajësinë kolektive, barazimi i një bashkëpunëtori me një popullsi të tërë apo përdorimi i krimit të pushtuesit për të justifikuar ndëshkimin e civilëve të një etnie tjetër. Kur këto dallime shpërfillen nga një jurist me përvojën e tij, vështirë se mund të flitet për padije.

Këtu shfaqet një standard i dyfishtë personal i Presidentit. Tasoulas është përballur dy dekada më parë me një kallëzim, sipas të cilit, kur ishte kryetar i Bashkisë së Kifisias, kishte kërkuar 70 milionë dhrahmi për një çështje ndërtimore. Akuza nuk u gjykua në themel, sepse Parlamenti grek nuk pranoi t’i hiqte imunitetin. Tasoulas nuk u shpall fajtor pasi krimi nuk u provua. Pra, askush mund të vuaj pasoja penalizuese për krime të pa provuara.

Por përse ky parim nuk vlen edhe për çamët myslimanë? Nëse një kallëzim individual dhe i paprovuar nuk mjafton për të shpallur fajtor Tasoulasin, si mund të mjaftojnë veprimet e disa kolaboracionistëve shqiptarë për të dënuar moralisht dhe politikisht mijëra shqiptarë? Asnjë popullsi nuk mund të trashëgojë fajin e individëve. Përgjegjësia penale është personale dhe nuk përcaktohet nga kombësia apo besimi fetar.

Shteti grek i pasluftës nëpërmjet gjykatave speciale nuk zbatoi të njëjtin parim ndaj kolaboracinistëve grekë dhe atyre shqiptarë. Kolaboracionistët grekë u trajtuan individualisht, ndërsa çamët myslimanë u etiketuan kolektivisht. Për individët grekë u dallua përgjegjësia personale nga përkatësia kombëtare, për shqiptarët, identiteti etnik u përdor si provë fajësie. Kjo pabarazi vazhdon edhe sot, kur shteti grek nderon Zervën, por hesht për civilët shqiptarë të vrarë dhe të dëbuar nga forcat e tij.

Gjykatat greke të pasluftës ishin totalisht të politizuara dhe vegël e qarqeve ekstremiste. Është absurd fakti që këto gjykata dënuan vetëm 27 ushtarak të Batalionit të Sigurisë (struktura ushtarake fashishte greke) të kryeministrit Rallis në Greqinë veriore ose në total në gjithë Greqinë 849 ushtarakë dhe kolaboracionist grekë nga 30.000 që ishtë numri total i identifikuar vetëm në Batalionin e Sigurisë, ndërsa pjesa tjetër u promovua dhe u bë pjesë e ushtrisë kombëtare greke. Ironia qendron në faktin se këta ushtarakë (dikur nazist) pushtatuan me vendime te gjykatave greke apo ekzekutuan më shumë se 7500 grekë të majtë antifashistë pas luftës. Janë po këto gjykata speciale që dënuan në 1945 në Janinë 1930 shqiptarë të Çamërisë në mungesë dhe 179 të tjerë një vit më pas, kur numri i kolaboracionistëve shqiptarë në Çamëri ishin afërsisht 150 vetë. Shifrat flasin qartë për standarte dyfishe me qellime të qarta: fajësi kolektive për të justifikuar spastrimin etnik.

Nderimi i 49 viktimave greke është plotësisht i ligjshëm dhe njerëzor. I papranueshëm është përdorimi i tyre për të ricikluar fajësinë kolektive të çamëve, për të heshtur masakrat e EDES-it dhe për të kërcënuar Shqipërinë në rrugën europiane. Koha duhej t’i kishte zbutur armiqësitë dhe ta kishte afruar Greqinë me një lexim më të drejtë të historisë. Me dekretin dhe fjalimin e tij në Paramithi, Presidenti Tasoulas bëri të kundërtën, ngriti një narrativë të njëanshme të së kaluarës në politikë zyrtare të Greqisë së sotme europiane.

Paramithia meriton të quhet martire dhe është e tillë për ne shqiptarët e Çamërisë, aty u vranë, masakruan mbi 700 shqiptarë, gra, fëmijë dhe pleq. Aty u pushkatuan edhe 49 bashkëqytetarët e tyre grekë.

Krimi meriton të njëjtin ndëshkim dhe nderimi meriton të jetë i njëjtë mes viktimave të pafajshme. Çdo qasje e cila i vendos në konflikt të pafund shqiptarët dhe grekët është e gabuar dhe nuk përfaqëson vullnetin e dy popujve, ndaj presidenti Tasoulas duhet të tregoj maturitet në deklaratat e veta dhe jo të kënaq orekset e qarqeve ekstremiste në rajonin të cilit edhe ai vet i përket.

Ps. 1. Në foto dekreti i presidentit për shpalljen e Paramithisë qytet martir. 2. Dokumenti i gjyqit Nuremberg i cili provon arsyen e vrasjes të 49 (ne dokumentet naziste numri eshte 58): hakmarrje për vrasjen e 6 ushtarëve gjermanë

çamiko.al

Dekreti i presidentit për shpalljen e Paramithisë qytet martir.
Dokumenti i gjyqit Nuremberg i cili provon arsyen e vrasjes të 49 (ne dokumentet naziste numri eshte 58): hakmarrje për vrasjen e 6 ushtarëve gjermanë