Vizita e Presidentit të Greqisë, Konstantinos Tasulas, në Paramithi ka shkaktuar reagime nga përfaqësues të shqiptarëve të Çamërisë. Alket Veliu e cilëson deklaratën e presidentit grek si një përdorim politik të historisë dhe ngre shqetësimin për lidhjen e çështjeve historike me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Vizita e Presidentit të Republikës së Greqisë, Konstantinos Tasulas, në Paramithi, është kundërshtuar nga përfaqësues të shqiptarëve të Çamërisë, të cilët shprehen se përkujtimi i viktimave greke është përdorur për të fajësuar në mënyrë kolektive popullsinë shqiptare të Çamërisë.
Në një reagim të tij, Alket Veliu shprehet se shqiptarët e Çamërisë dënojnë pa rezerva vrasjen e 49 civilëve grekë në Paramithi në vitin 1943 dhe nderojnë kujtimin e çdo të rëni në luftën kundër pushtuesve nazi-fashistë.
Sipas Veliut, respekti për viktimat greke nuk duhet të shërbejë për të lënë në harresë viktimat shqiptare të Çamërisë.
“Dhimbja e familjeve të tyre meriton respekt. Por pikërisht ky respekt na detyron të kundërshtojmë përdorimin që i bëhet viktimave greke për të fajësuar një popullatë të tërë”, shprehet ai.
Veliu ngre në reagimin e tij edhe çështjen e viktimave shqiptare të masakrave në Paramithi dhe në zona të tjera të Çamërisë, duke iu referuar veçanërisht ngjarjeve të 27 qershorit 1944. Ai pretendon se në Paramithi u vranë mbi 700 shqiptarë, mes tyre gra, fëmijë, të moshuar dhe civilë të paarmatosur.
Sipas tij, përkujtimi i viktimave të vitit 1943, pa përmendur viktimat shqiptare të viteve 1944–1945, krijon një version të njëanshëm të historisë.
Kërkohet publikimi i vendimit të Gjykatës Speciale të Janinës
Një tjetër pikë e reagimit lidhet me Gjykatën Speciale të Janinës të vitit 1946, të cilës Presidenti grek i është referuar në deklaratat e tij.
Veliu kërkon që vendimi i kësaj gjykate dhe emrat e personave të dënuar të bëhen publikë.
Sipas tij, transparenca mbi dokumentet gjyqësore do të mundësonte një shqyrtim më të plotë të akuzave dhe përgjegjësive individuale.
Ai i kërkon edhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë që, përmes Ambasadës shqiptare në Athinë, të kërkojë zyrtarisht një kopje të vendimit të Gjykatës Speciale të Janinës.
Kundërshtim ndaj lidhjes me integrimin e Shqipërisë në BE
Pjesa më e fortë e reagimit lidhet me deklaratat e Presidentit grek për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Veliu e konsideron këtë lidhje si shqetësuese dhe thotë se çështjet historike nuk mund të përdoren si instrument presioni diplomatik ndaj Shqipërisë.
Ai argumenton se Shqipëria ishte një vend i pushtuar nga fashizmi dhe nazizmi dhe se përgjegjësia për veprimet e individëve apo strukturave bashkëpunëtore nuk mund t’i atribuohet kolektivisht shtetit shqiptar.
Në këtë kuadër, ai i kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të kërkojë sqarime zyrtare nga pala greke mbi përgjegjësinë që i atribuohet Shqipërisë, dokumentet mbi të cilat mbështeten këto pretendime dhe arsyen përse ato lidhen me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kërkohet hapja e arkivave dhe dialog mes historianëve
Në reagim theksohet gjithashtu nevoja për një shqyrtim historik të bazuar në dokumente dhe prova.
Veliu kërkon hapjen e arkivave greke, përfshirë dokumentet gjyqësore dhe pronësore, si dhe ngritjen e një tryeze të përbashkët mes historianëve shqiptarë dhe grekë.
Sipas tij, një proces i tillë do të ndihmonte në zbardhjen e ngjarjeve dhe në përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe institucionale.
Në përfundim, Veliu thekson se kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë për drejtësi, kthimin në shtëpitë e tyre dhe shqyrtimin e të drejtave pronësore nuk duhen parë si armiqësi ndaj popullit grek.
“Viktimat greke dhe viktimat shqiptare në Çamëri meritojnë të njëjtin dinjitet. E vërteta kërkon prova, drejtësia kërkon përgjegjësi individuale dhe marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona kërkojnë dialog, jo kërcënime nga vendi i krimit”, përfundon reagimin e tij Alket Veliu.

