Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Çamëria Sot #Figura të Shquara #Ide dhe Polemika #Lajmet e Fundit

Kontributit të Niko Stillos mbi arvanitët dhe Çamërinë – Ambasador Flamur Gashi

Niko Stillo: Një zë që duhet lexuar, diskutuar dhe ballafaquar me argumente

Nikon kam pasur kënaqësinë ta njihja edhe ta takoja disa herë personalisht, prandaj sot e ndiej se është koha të shkruaj dy fjalë për të…

Ka njerëz me të cilët mund të jesh dakord ose jo. Mund t’i pranosh përfundimet e tyre, mund t’i kundërshtosh dhe mund t’u kërkosh prova të tjera. Por nuk mund t’i gjykosh pa i lexuar.

Niko Stillo është një prej tyre.

I lindur më 1946 në zonën e Prevezës, në një mjedis ku shqipja ishte gjuhë e familjes, dhe i vendosur prej dekadash në Gjermani, ai një pjesë të madhe të jetës ia ka kushtuar kërkimit të gjuhës, historisë dhe trashëgimisë së arvanitëve, burimeve të vjetra të shqipes dhe gjurmëve të saj në historinë e Ballkanit dhe të Mesdheut.

Rruga e tij kërkimore kalon nëpër fjalorë të vjetër, dorëshkrime, alfabete, mbishkrime, toponime dhe të folme arvanitase.

Niko Stillo është marrë posaçërisht me Fjalorin e Marko Boçarit, me Fjalorin greqisht-shqip të Panajot Kupitorit, me Fjalorin katërgjuhësh të Danil Voskopojarit, si dhe me burime të tjera të hershme gjuhësore, duke u përpjekur të nxjerrë në dritë një trashëgimi që, sipas tij, nuk është studiuar sa duhet.

Pikërisht këtu fillon debati

Por pjesa që e ka bërë njëkohësisht të njohur dhe të debatueshëm lidhet me kërkimet e tij mbi lashtësinë.

Në veprën “Etruskishte–Toskërishte” dhe në studime të tjera, Stillo ka mbrojtur teza për lidhje ndërmjet etruskishtes, botës pellazgjike dhe shqipes, duke u përpjekur të interpretojë mbishkrime të lashta përmes toskërishtes, çamërishtes dhe të folmeve arvanitase.

Dhe pikërisht këtu fillon debati.

Një pjesë e këtyre tezave nuk përputhen me qëndrimet mbizotëruese të gjuhësisë historike dhe etruskologjisë akademike dhe kanë ngjallur kundërshtime e rezerva.

Edhe vetë Stillo ka qenë kritik ndaj institucioneve akademike shqiptare. Ai ka kërkuar më shumë vëmendje për trashëgiminë arvanitase, për fjalorët dhe autorët e saj, për leksikun arvanitas dhe madje ka kërkuar ngritjen e një Katedre të Arvanitologjisë. Në këtë kuadër ka polemizuar edhe me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë…

Por pikërisht këtu duhet bërë një dallim:

Të lexosh Niko Stillon nuk do të thotë të pranosh çdo tezë të tij.
Ta kundërshtosh nuk do të thotë ta shpërfillësh.

Shkenca nuk ecën vetëm me pohime.

Ajo ecën me hipoteza, prova, kundërargumente dhe debat.

Nëse një tezë nuk qëndron, duhet rrëzuar me argumente.

Nëse një burim i nxjerrë në dritë ka vlerë, duhet t’i njihet.

Dhe nëse një pyetje na detyron të rikthehemi te dokumentet, fjalorët dhe dorëshkrimet e harruara, atëherë edhe vetë pyetja i ka shërbyer kërkimit.

Një njohje personale

Për mua, emri i Niko Stillos ka edhe një histori personale.

Për të dëgjova për herë të parë në vitin 1997 nga Aristidh Kola, një zë i veçantë dhe emër kuptimi si arvanitas i madh…

Vite më vonë pata kënaqësinë ta njihja edhe takoja edhe personalisht.

Së bashku me kolegun tim Thimi Nika, e pritëm dy herë në zyrën time në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në kohën kur drejtoja Institutin Kombëtar të Diasporës Shqiptare.

Ishin takime që më dhanë kënaqësinë dhe mundësinë ta njihja nga afër, të bisedoja me të dhe të shkëmbenim mendime për çështje që lidhen me gjuhën, historinë, arvanitët dhe kërkimet e tij.

Pikërisht për këtë, për Niko Stillon nuk shkruaj vetëm si për një autor që kam lexuar, por edhe si për një studiues me të cilin kam pasur kënaqësinë të takohem, të bisedoj dhe të shkëmbej mendime.

Ato takime dhe dy apo tri takime të tjera më dhanë mundësinë ta njihja jo vetëm përmes asaj që kisha dëgjuar dhe lexuar, por edhe përmes bisedës së drejtpërdrejtë me të dhe pasionit me të cilin mbronte kërkimet dhe pikëpamjet e veta.

Pa paragjykim, por edhe pa hequr dorë nga mendimi kritik

Dhe sot mendoj se Niko Stillo duhet lexuar pikërisht kështu:

Pa paragjykim, por edhe pa hequr dorë nga mendimi kritik.

Nuk kemi pse të kemi frikë nga mendimet e ndryshme.

Debati konstruktiv i bën mirë shkencës.

Kundërshtimi i argumentuar i bën mirë dijes.

Kërkimi i pandërprerë i bën mirë së vërtetës.

Prandaj nuk dua ta mbyll këtë portret me një verdikt për Niko Stillon. Por me një ftesë:

Lexojeni.

Lexoni punën e tij për arvanitët dhe burimet e vjetra të shqipes.

Lexoni tezat e tij për lashtësinë.

Lexoni edhe studiuesit që e kundërshtojnë.

Krahasoni burimet.

Ballafaqoni argumentet.

Dhe në fund krijoni gjykimin tuaj.

Historia e gjuhës dhe e identitetit tonë është shumë më e madhe se një autor, një institucion apo një teori.

Ajo kërkon burime, kërkim, debat dhe mendje të hapur.

Disa nga veprat dhe kontributet kryesore të Niko Stillos

  • “Elemente prehistorikë në tekste shumë të lashta shqipe”, botuar fillimisht në greqisht, në shqip u botua me titullin “Historia e shenjtë e Arvanitëve”.
  • “Fjalori i Marko Boçarit”, me studim hyrës dhe transkriptimin e pjesës shqipe me alfabetin e sotëm.
  • “Etruskishte–Toskërishte” – ndër veprat më të njohura dhe njëkohësisht më të debatueshme të tij.
  • Fjalori katërgjuhësh i Danil Voskopojarit, punë mbi një burim me rëndësi për historinë gjuhësore të Ballkanit.
  • Fjalori greqisht–shqip i Panajot Kupitorit, pjesë e punës së tij për trashëgiminë e vjetër leksikografike arvanitase.
  • “Duke mprehur thika”, vëllim poetik.

Kontributit të Niko Stillos i shtohen kërkimet mbi arvanitët dhe Çamërinë, alfabetet dhe leksikun historik, burimet e vjetra të shqipes, si dhe këmbëngulja për një vëmendje më të madhe institucionale ndaj arvanitologjisë.

Niko Stillo, me kontributet e tij, por edhe me tezat që kanë shkaktuar kundërshti, është një zë që ia vlen ta njohim, ta lexojmë dhe ta diskutojmë.

Niko nuk na kërkon domosdoshmërisht të biem dakord me të.

Na shtyn të lexojmë.
Të kërkojmë.
Të kundërshtojmë me argumente.
Dhe të mendojmë.

Sepse edhe pyetjet e vështira janë pjesë e rrugës drejt së vërtetës!

çamiko.al

MENU