Problemi i dhënies dhe marrjes mes kulturës çame dhe asaj greke në veçanti, por edhe asaj shqiptare e greke apo kulturave të popujve ballkanikë në përgjithësi, është pak e studiuar, por edhe kur është trajtuar, vihet re jo vetëm një subjektivizëm i skajshëm, apo edhe shovinizëm kulturor “alla ballkanik”. Do të mjaftonte të sjell në kujtesë studiuesit serbë, të cilët të paktën prej një shekulli, për të mos thënë më shumë, kanë shkruar qindra faqe duke derdhur shumë energji, për të ‘’provuar’’ se ‘’Eposi i Kreshnikëve’’ u përket popullit serb e se shqiptarët si ‘’endacakë’’ dhe ardhës’’ të vonshëm në Ballkan’’, e kanë marrë atë nga sllavët. Jo vetëm ‘’Eposi i Kreshnikëve’’, por edhe mitet gojëdhënat, legjendat, siç është ai i kalasë së Shkodrës janë të tyret. Ballkani ynë, ky truall befasues i kulturave nga më të çuditshmet, që ka rrezatuar përtej maleve të tij vlera të padiskutueshme në Europë, për fat të keq brenda vedit është shquar jo vetëm për sherrnaja e luftrave për territore në dëm të fqinjëve, si edhe për ca sherrnaja të tjera absurde, siç janë ato për kulturën.
Për fat të keq fjala “URË” në kutimin e mirëfilltë si lidhje mes brigjeve dhe në kuptimin metaforik edhe si lidhje mes popujve e në fushën e kulturës si dhënie e marrje reciproke, është shpërdoruar keq në Ballkan. E megjithatë, popujt e Ballkanit përtej këtyre sherrnajave absurde, kanë ditur që në mijëra vjet fqinjësi të ndërtojnë dhe rindërtojnë ura komunikimi. Ata kanë patur dhe kanë kodet e tyre të komunikimit dhe mirëkuptimit herë të qarta e të dukshme, herë- herë të mjegullta me simbole nga më të çuditshmet.
Ballkanasit edhe në kulmet e acareve nxitur nga politikat përçarëse, ideologjitë ekstremiste nacionaliste, stinët e shpeshta të përgjakshme që ka shoqëruar historinë e tyre, janë marrë vesh me ca kode që vetëm ata mund t’i kuptonin. Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ballkanasit e sertë, por edhe të mençur, herë- herë kapadaij dhe me ca gjeste teatrale në sjellje, gjaknxehtë si ata, por edhe mikpritës trima të çartur dhe herë- herë naivë si fëmijë, të habisin me urat e komunikimit kulturor. Një këngë, valle, melodi, veshje e bukur, fjalë e urtë, legjendë, befas natyrshëm kapërcente kufijtë e një fshati të humbur dhe qindra kilometra më në jug, veri, lindje, perëndim, por edhe më pranë bëhej, pjesë e kulturës shpirtërore të atij vendi. Udhëtarë anonimë që flinin nëpër hane, tregëtarë, që me karvanet e tyre lëviznin lirshëm nëpër trojet ballkanike, barinj që veronin dhe dimëronin nëpër fushat e buta bregdetare apo alpe, rapsodë dhe grupe instrumentistësh ose këngëtarë të njohur, që ftoheshin nëpër dasma etj ishin padyshim këmbë të forta “urash mes kulturave të Ballkanit.”
Kështu ka ndodhur edhe mes shqiptarëve dhe grekëve, që janë popujt më të lashtë të gadishullit, ku në historinë e hershme të tyre ka një substrat të përbashkët gjuhësor dhe kulturor. Kështu ka ndodhur veçanërsisht mes shqiptarëve çamë të Thesprotisë dhe fqinjëve të tyre grekë. Këto dhënie dhe marrje në fushën e kulturës, sidomos asaj shpirtërore, kanë qenë normale dhe të natyrshme.
Çamëria është trualli ku pikafrimet dhe pikëtakimet mes kulturës shqiptare dhe asaj greke janë të prekshme dhe të dallueshme. Të gjendur pranë njëri-tjetrit gjeografikisht, por në disa fshatra dhe qytete çame edhe të përzierë, në fushën e kulturës shpirtërore, por edhe më gjerë, kanë dhënë dhe marrë mes tyre. Ka një të vërtetë të pamohueshme, se duke njohur dhe vlerësuar kulturat e njëri-tjetrit, çamët dhe grekët i kanë respektuar ato. Në këtë kuptim diversiteti kulturor në Çamëri dhe këtu fjalën e kam për kulturën shqiptare çame, që ishte homogjene, por edhe për kulturën e grekërve, vllehëve etj ka qenë një nga pasuritë dhe vlerat e mëdha të saj. Ndasitë fetare nuk ishin pengesë sa kohë që ata respektonin njëri-tjetrin si besim dhe vlerë. Çamët merrnin pjesë jo vetëm në festat fetare të fqinjëve të tyre, por edhe në dasma dhe gëzime të tjera. Përveç sinoreve ndarës pra gjeografisë me vija të përcaktuara ose edhe jo ndarëse, në Ballkan, dhe veçmas në Çamëri, mund të flasim edhe për gjeografi shpirtërore. Kjo e fundit nuk figuron në asnjë traktat apo marrëveshje ndërkombëtare ose ndërshtetërore. Ka patur por ka edhe sot, studiues seriozë grekë, ndonëse shumë të pakët në numër, që kanë vlerësuar kulturën e çamëve, këngët dhe vallet e tyre, veshjet, mënyrën e jetesës dhe banesën në qytet dhe fshat. Bota çame, shpirti i patjetërsueshëm çam ka vulën e vet në kulturën origjinale dhe befasuese të krijuar dhe trashëguar nga brezi në brez. Trashëgimia kulturore në Çamëri në tërësinë e saj është unike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Do të gabonim në qoftë se këtë kulturë do ta veçonim nga ajo e së tërës, pra shqiptare, siç do të gabonim edhe nëse atë do ta quanim një ishull më vete të mbyllur e pa komunikuar me fqinjët e saj grekë. Kultura lëndore, e quajtur ndryshe materiale dhe ajo shpirtërore në Çamëri janë shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë. Ajo bart shtresëzime të hershme të formuara në epoka të ndryshme. Siç janë vënë në dukje nga studiues të ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (pellazgë) e pastaj ilirë dhe që u trashëguan në Mesjetën e Hershme. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve” (Berlin 1965) se ‘’ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur, na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare.”
Urat e reja të shpirtit ballkanik
Shumë vite më parë, kur shekulli që lamë pas po rrokullisej drejt fundit të tij, pata fatin të marr pjesë në një festival ballkanik që organizohej në Ankara. Ishte maj dhe nuk do të harroj kurrë qiellin e Ankarasë, erërat e ngrohta, tingëllimin poetik të gjuhës turke, por veçanërisht atmosferën e krijuar në kryeqytetin e Turqisë nga shfaqjet e grupeve folklorike, ardhur nga gjithë vendet e Ballkanit. Ndryshe nga acaret, makthet, sherrnajat e pafund, luftërat e përgjakshme që kishin ndodhur në Ballkanin tonë gjatë shekullit që po rrokullisej ankthshëm e me përtim, në Ankara, gadishulli tragjik nëpërmjet melodive, këngëve, valleve, larmisë së kostumeve, sillte shumë nga shpirti i tij. Ndihej, siç shkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare “nënshtrati ndërballkanik’’ si dhe motivet e përbashkëta. Urat e komunikimit që risillnin popujt e Ballkanit në këtë festival ishin të lashta sa vetë ata, solide dhe ndryshe nga baladat e tyre, që prisheshin natën për t’u rindërtuar ditën. Ishte maji i vitit 1991. Shqipëria ime përpiqej të largonte përgjithmonë mantelin e përgjakur komunist, ndërsa Ballkani në veri të tij, ishte në prag të gjakderdhjes së tij të fundit. Kanë kaluar 35 vite që nga festivali Ballkanik i Ankarasë dhe gadishulli ynë mitik ndodhet në proceset e evropianizimit ose thënë ndryshe, po punon për të ringritur urat e komunikimit të shumanshëm. Në Jug të tij, shqiptarët dhe grekët popujt më të moçëm të Ballkanit, gjithashtu janë në këtë proces rindërtimi urash, pavarësisht fantazmave të fundit që ringrihen nga varret e idelogjive përçarëse. Çamët e shpërngulur me dhunë nga bandat kriminele greke të Napolon Zervës në vitet 1944-1945, kërkojnë të rivendosin ura komunikimi shpirtëror me vëllezëri e tyre të një gjaku, çamët e krishterë, vllehët dhe grekët, që jetojnë në Çamërinë e sotme. Jo vetëm kaq. Ata janë për ura komunikimi edhe me grekët, sepse çamët e grekët, pavarësisht nga e kaluara e tyre e hidhur, kanë ditur që në fushën e kulturës të marrin dhe japin me njëri- tjetrin.
Çamëria ime mitike kërkon rikthimin në trojet e saj të shpirtit çam: baladave, këngëve, kostumeve popullore, valleve, rikthimin e miqësive të vjetra jo vetëm me vëllezërit e saj të krishterë, por edhe me grekët, vllehët etj.
Ballkani ka nevojë për ura të reja komunikimi mes kulturave të tij nga më befasueset jo vetëm të gadishullit, por edhe në rrafshin europian

