Premiera e dokumentarit “Koha për t’u kthyer në shtëpi”
Aktivitet nga Fondacioni Çamëria 'Hasan Tahsini'
Më 12 qershor 2025, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” solli për publikun premierën e dokumentarit “Koha për t’u kthyer në shtëpi”, një produksion i veçantë artistiko-dokumentar që trajton me ndjeshmëri dhe profesionalizëm çështjen çame, të drejtën për kthim dhe kujtesën historike.
Me skenar dhe regji nga Admirina Peçi dhe muzikë nga Endri Sina, dokumentari u prit me interes dhe emocione të thella nga të pranishmit. Filmi solli një rrëfim të ndërthurur mes dëshmive historike, analizës akademike dhe ndjeshmërisë artistike, duke e kthyer në një kontribut të rëndësishëm në ndërgjegjësimin publik për padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Në dokumentar japin kontributin e tyre historianë të njohur si:
Pëllumb Xhufi, Irakli Koçollari, Beqir Meta, Hajredin Isufi, Hasan Bello si dhe diplomati i mirënjohur Shaban Murati, të cilët sollën perspektiva të thelluara historike dhe diplomatike mbi çështjen çame.
Premiera u organizua me mbështetjen e Bashkisë Konispol dhe Shkollës “Bido Sejko”, të cilat ndihmuan në realizimin dhe promovimin e këtij materiali dokumentar me vlera të rëndësishme kulturore dhe kombëtare.
“Koha për t’u kthyer në shtëpi” është një thirrje e fuqishme për drejtësi, kujtesë dhe reflektim, që synon të mbajë të gjallë një çështje që mbetet ende e pazgjidhur në ndërgjegjen tonë kombëtare.

















