Konispoli është vendlindja e nënës sime. Veç kësaj me Konispolin më lidh edhe një moment i veçantë në krijimtarinë time. Valltari dhe luftëtari i famshëm i Konispolit, Osman Taka, më ka frymëzuar për të shkruar dramën historike “Osman Taka”, e cila është inskenuar në vitin 2023 nga Teatri Kombëtar Eksperimental, me regji të Naun Shundit dhe mbështetjen e Alket Veliut.
Por le të bëjmë shkurt një përshkrim të historisë dhe identitetit të këtij qyteti, të transmetuar brez pas brezi. Konispoli është një vend i stërlashtë autokton, emri i të cilit datohet në shekullin e 8-të të erës së re dhe që i takon Çamërisë së mbetur, pas ndarjes së kufijve shtetërorë, në vitin 1913. Por të dhëna të rëndësishme tregojnë se Konispoli nuk ka pse të datohet në shekullin e 8-të të erës së re.
Në historiografinë tonë dhe të vendeve fqinje mendohej se Konispoli është banuar prej fisit të Thesprotëve, që kufizohej nga kaonët në veri dhe përfundonte në Gjirin e Ambrakisë në Prevezë. Mbreti Pirro ka lënë gjurmë të thellë edhe në Konispol. Mbi fshatin Shkallë, afër Konispolit, ka ekzistuar dhjetra vjet më parë një lis disashekullor që quhej Lisi i Pirros. Kështu quhet edhe sot ky vend strategjik. Sipas sudiuesit Selman Sheme, Konispoli ka filluar të popullohet shumë herët, qysh në epokën e Paleolitit, mbi 100 mijë vjet më parë. Shpella e Kreshmoit dhe vendbanimi i Xarrës njihen si vendbanimet më të hershme në Shqipëri. Qyteza e Çukës së Ajtoit, sipas studimeve të arkeologut Selim Islami, të përditësuara edhe nga arkeologu i zonës Halil Shabani, mendohet se është e shekullit të 5 e të 4 p.e.s, ku spikat arti i ndërtimit pellazgjik. Sipas studiuesit Skënder Mullai, varrezat e zbuluara në Vardhar i përkasin shekullit të 4-2 p.e.s, banesat romake të Gropës së Vulës shekullit 2-1 p.e.s, qyteza e Julia shek. I p.e.s. të gjitha këto i përkasin periudhës së para Krishtit. Konispoli në lashtësi është banuar prej fisesh ilire, që mendohet se e kanë prejardhjen nga Pellazgët.
Në vitin 1968 në vendin e quajtur Gropa e Vulës në Vardhar, miku im, arkeologu i famshëm Selim Islami, zbuloi rrënojat e një godine dhe u shpreh se kemi të bëjmë me një banesë të shekullit 1-2
e.re. dhe se i përket stilit romak të ndërtimit
Gërmadhat e vendbanimeve të hershme tregojnë për një vazhdimësi trojesh të banuara, qyteza që u shkatërruan nga Paul Emili, gjenerali romak, në fushatën e tij kundër epirotasve në vitin 167 para Krishtit, betejë që u zhvillua në lumin Pavël. Është kuptimplote edhe e dhëna e Luixhi Ugolinit te “Butrinti”, që fakton lidhjen historike të Konispolit me Butrintin e lashtë. Pas vitit 167 para Krishtit, pasi Epiri u pushtua nga romakët edhe Konispoili ra nën pushtimin romak, (gjendje që vazhdoi deri në shek 3-4 të e. re. pas rënies së Konstandinopolit në duart e latinëve në vitin 1204) Konispoli përfshihet në Despotatin e Artës.
Në vitin 1475 Konispoli ra nën sundimin turk, që vazhdoi rreth 200 vjet dhe zhduku çdo gjurmë të zhvillimt kulturor autokton duke ndërprerë zhvillimin normal të arsimit dhe kulturës kombëtare. Vetëm në fund të viteve ‘50 të shekullit të XVIII dhe në gjysmën e parë të shekullit XIX u shfaqën në skenën e kulturës personalitete të tilla si Muhamet Kuçuku (Çami) dhe Abdullah Sulejman Konispoli, si përfaqësues të letërsisë së Bejtexhinjve. Pas Muhamet Kuçukut punën e tyre në Konispol dhe në krejt Çamërinë, si dhe në shkallë kombëtare, gjatë Rilindjes Kombëtare do të vazhdojë Hasan Tahsini (Hoxha) nga Ninati. Më 11 janar 1879 u mblodh Kuvendi i Prevezës, me Abedin Pashë Dinon, Abdyl Bej Frashërin, Mustafa Pashë Vlorën etj. ku, si përfaqësues i Konispolit, mori pjesë Osman Taka. Ky Kuvend kundërshtoi me forcë dhënien e trojeve shqiptare Greqisë.
Në vitin 1805 Konispolin e vizitoi Martin Lik, ish konsulli anglez pranë Ali Pashës, në atë kohë pasha i Janinës. Në shënimet e tij për Konispolin ai shkruan: “Konispoli është një qytet i përhapur katër a pesëqind familjesh shqiptare, i dukshëm nga Korfuzi për shkak të pozitës së tij në majë të një vargu që shtrihet nga fusha pranë grykës së lumit Kalama dhe gjer në Gjirin e Butrintit.
Në vitin 1901 pakënaqësia ndaj shtypjes osmane dhe lakmive të fqinjëve bëri që të dilnin mjaft kryengritës nga Konispoli, midis tyre Alush Taka, Rushit Dine, Remzi Dalani e Shuaip Dalani dhe, në vitin 1908, të krijohej në Konispol çeta e Muharrem Rushitit. Në Konispol pavarësia u shpall më 12 dhjetor 1912. Në vitin 1923 Konispoli u bë Nënprefekturë dhe u miratua si Kryeqendër e Çamërisë, me 31 fashatra me 10488 banorë, ndërsa gjatë viteve 1925-1927 Qendra Konispol ishte bashki.