Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

Faqja është duke u përpunuar!

#Gjenocid/Dëshmi #Ide dhe Polemika #Kalendari Historik

Si u arrestuan dhe u internuan krerët e Çamërisë – A. Iliazi

Në Ditën Kombëtare të Greqisë, si u arrestuan dhe u internuan krerët e Çamërisë

Në vitin 2008 kam qenë redaktor i librit “Çamëria, tokë e përgjakur”, të Petrit Demit, një vepër e rëndësishme historike dhe dokumentare e pajisur me fotografi dhe dëshmi, e cila trajton kalvarin e vuajtjeve dhe fatkeqësitë e popullsisë çame gjatë shekullit XX.

Petrit Demi (djali i patriotit të shquar nga Filati i Çamërisë, Musa Demi) është një nga figurat qendrore që ka hedhur dritë mbi të vërtetën historike të eksorisë (internimit) të çamëve.

P. Demi ka dëshmuar me fakte se shqiptarët e Çamërisë – midis të cilëve edhe babai i tij, Musa Demi – u internuan në masë në vitin 1940 në ishuj, pra përpara se Italia të futej në Greqi dhe përpara se të ekzistonte çfarëdolloj “bashkëpunimi”. Internimi u bë thjesht mbi baza etnike dhe fetare.

Petrit Demi vetë është një shembull i antifashizmit çam. Ai luftoi për më shumë se dy vjet me radhë në radhët e EAM/ELAS (Fronti Nacional-Çlirimtar Grek) kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë. Së bashku me figura të tjera çame, ai mori pjesë në formacionet e përbashkëta që në mars të vitit 1943, ku partizanët çamë dhe ata grekë bashkëpunonin për çlirimin e rajonit.

28 Tetor 1940 shënon Ditën Kombëtare të Greqisë, kur diktatori grek Joanis Metaksa i tha “JO” (Ochi) ultimatumit të Musolinit për të lejuar hyrjen e trupave fashiste italiane në territorin grek, duke futur Greqinë në Luftën e Dytë Botërore.

Si shkëndijë për nisjen e luftës më 28 tetor 1940, Italia fashiste përdori vrasjen makabre të krerëve çamë, si Daut Hoxha, nga agjentët grekë.

Sipas dëshmive të Petrit Demit, në librin e tij “Çamëria, tokë e përgjakur” (2008), qeveria diktatoriale greke e Metaksait, përpara se të niste internimin masiv të popullsisë, kishte nisur një fushatë të ashpër represioni, asimilimi dhe përndjekjeje sistematike ndaj shqiptarëve të Çamërisë (si ndaj myslimanëve, ashtu edhe ndaj të krishterëve).

Megjithëse popullsia çame mbajti një qëndrim neutral, regjimi grek i Metaksait dhe autoritetet ushtarake lokale e trajtuan këtë minoritet si një “armik të brendshëm” dhe potencialisht “bashkëpunëtor” të Italisë fashiste.

Rreth 2,000 djem të rinj çamë, të cilët ishin shtetas grekë dhe ishin mobilizuar në ushtrinë greke përpara luftës (gjatë viteve 1939–1940), nuk u lejuan të luftonin në front. Me urdhër të Korparmatës së Janinës, atyre iu hoqën armët dhe u dërguan në prapavijë për punë të detyrueshme, ku thyen gurë dhe hapën rrugë nën mbikëqyrje të rreptë.

Dy muaj para shpërthimit zyrtar të luftës, qeveria diktatoriale greke e Joanis Metaksait burgosi dhe internoi (“eksoria”) në ishujt e Egjeut (si Hios, Mitilin (Lesbos), Kretë etj.) të gjithë meshkujt çamë të moshës 16 deri në 70 vjeç.

Nuk u kursyen as klerikët, as të moshuarit e sëmurë dhe as djemtë e rinj që ende ndiqnin shkollën.

Numri i të internuarve llogaritet të ketë qenë mbi 5,000 deri në 6,000 burra, duke lënë shtëpitë çame vetëm me gra, fëmijë dhe foshnja të pambrojtura.

Rreth 800 deri në 1,000 burra çamë vdiqën në këto kampe nga torturat, uria, sëmundjet dhe rraskapitja fizike, pa pasur mundësi t’u dihej as varri.

Urdhri i qeverisë së Athinës specifikonte izolimin e plotë të elementit mashkullor shqiptar.

Xhandarmëria greke kreu arrestime masive shtëpi më shtëpi në të gjitha fshatrat e Çamërisë (si Filat, Paramithi, Margëlliç, etj.).

Qeveria e Metaksait nuk u mjaftua me kaq, por filloi arrestimet e parisë çame, të cilat fillimisht filluan në Filat dhe menjëherë u pasuan në të gjithë rajonin e Çamërisë.

Të arrestuarit e parë nga paria e Çamërisë ishin figura që kishin treguar se ishin antifashistët e orëve të para, si Musa Demi, Shuaip Metja, Myftiu i Filatit: Mehmet Zeqirjai, Sako Braho, Samet Murati, Shaban Demi, Gali Xhaferri, të gjithë këta nga Filati.

Po kështu, në Paramithi nga fisi i Pronjatëve u arrestua dhe tregtari Hajredin Mergjyshi, Omer Murati, Qazim Reçi, Agim Reçi; në Gumenicë arrestuan Bido Dulen; në Grikohor Ahmet Muhon, Mahmut Male etj.

Kështu u veprua me parinë e fshatit Varfanj, Margëlliç, Volë, Arpicë, Karbunar, Skopjone etj.

Ato u motivuan në opinionin e krishterë si përkrahës e bashkëpunëtorë të fashizmit italian.

Pohimet që u përhapën në atë kohë nga qarqe të caktuara greke e që kanë ardhur deri në ditët tona, nëpërmjet shkrimeve të papërgjegjshme greke në librat e shkrimet e tyre, për “bashkëpunimin e çamëve me pushtuesin”, me sa duket kanë qëllime të caktuara dhe shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat historike.

Në këtë përfundim ka arritur edhe historiani grek Niko Ziagkos (Zhanga), kur nënvizon: “Sikur shqiptarët çamë të ishin vrasës e kriminelë, do të ishin të zhdukur gjithë fshatrat e krishterë të Çamërisë, që ishin rreth fshatrave myslimanë”. (Nik. G. Ziagkos, Anglikos…, vëll. I, f. 146).

Ky qëndrim dhe këto dëshmi i kanë deklaruar shumë çamë që në vitin 1940 ishin mobilizuar nga qeveria greke për punë angari.

Por plani i qeverisë greke ishte i qartë, synonte shkombëtarizimin e Çamërisë dhe largimin e tyre nga trojet e të parëve.


Agjencia “Rojter” më 22.12.1940, gjatë kohës së luftës italo-greke, transmetonte këtë lajm nga Manastiri: “Ushtarët shqiptarë të mobilizuar me forcë në ushtrinë italiane kanë ngritur krye dje në një sektor të prapavijave italiane dhe i kanë shkaktuar armikut humbje të mëdha deri sa u kapën. Një pjesë e tyre, pa marrë përpjetë brigjeve ku vazhdon të rezistojë”.

Më 4.12.1940, agjencia “Anatoli” lajmëronte nga Athina se “një gjeneral italian i kapur rob prej grekëve, ka deklaruar se ushtria italiane po pëson humbje të rënda nga shkaku i tradhtisë së shqiptarëve”.

Dhe Musolini vetë, në një letër dërguar Hitlerit më 22 nëntor 1940, donte t’i justifikonte po në këtë mënyrë humbjet.

Dhe ja se ç’thotë Badolio në kujtimet e tij: “Fushata fillon, pra. Gjithë bota i di zhvillimet e saj. Trupat greke në Epir qëndrojnë trimërisht në Kalamas, kurse bandat dhe trupat shqiptare, që bënin pjesë në divizionet tona, ose na tradhtuan, duke bërë sabotazhe, ose u hodhën te grekët”.

Gazeta “Figaro”, nr. 588, 4 korrik 1946, duke bërë fjalë për luftën italo-greke, shkruante: “Çetat shqiptare nga ana e tyre sulmonin autokolonat dhe trupat italiane, në rrugët që çonin në front”.

Ndërsa radio “Londra” më 26.10.1940 transmetonte: “Mësohet nga Shqipëria se çeta shqiptare në veprim të prapavijave italiane, presin dhe sabotojnë vijat e komunikacionit, duke u futur tmerrin reparteve italiane të izoluara. Grupe të armatosura kanë mundur të hyjnë në kryeqytet dhe kanë afishuar mbi të gjitha godinat qeveritare dhe deri në pallatin e qeverisë italiane proklamata, me të cilat ftojnë italianët të zbrazin Shqipërinë”.

Gjithashtu, më 4.1.1941, BBC-ja (radio Londra) transmetonte: “Në rrethet ushtarake vihet re se shqiptarët u sjellin ndihmë të madhe grekëve kundër italianëve”.

Ja pra cila ka qenë popullsia çame.

Populli shqiptar i Çamërisë nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtor i pushtuesve.

Kemi jetuar gjithnjë mirë me popullin grek, me të cilin kemi luftuar krah për krah kundër okupatorëve fashistë italianë e gjermanë.

Kur ushtria italiane korri suksese fillestare në ditët e para pas 28 tetorit dhe hyri përkohësisht në Thesproti (Çamëri), fronti i luftës u zhvendos pikërisht në shtëpitë e çamëve.

Kur ushtria greke bëri kundërofensivën e fuqishme në nëntor 1940 dhe i zmbrapsi italianët thellë në territorin shqiptar, trupat greke dhe bandat paraushtarake lokale u hakmorën egërsisht mbi popullsinë civile çame që kishte mbetur në fshatra.

U dogjën shtëpi, u plaçkitën pasuri dhe pati vrasje të civilëve nëpër fshatra si Filat, Gumenicë dhe Margëlliç.

Historiani grek, Jani Sarras, në librin “Istoria tis periohis Igumenitsis 1500-1950”, Athinë, 1985, shkruan: “Italia sulmin e parë e drejtoi me artileri të rëndë kundër Filatit, në paraditen e 28 tetorit 1940. Kjo bëri që administrata lokale e qytetit, komanda e xhandarmërisë greke dhe arkivat e administratës, me ndihmën e çamëve t’i largojë nga qyteti për në vende ku ishin vendosur forcat greke të rezistencës, kryesisht në rrethinat e qytetit të Paramithisë.

Ndërkohë, po atë ditë, Zambeta, komandanti i xhandarmërisë së Filatit dhe postëkomanda të tjera në Çamëri, kishin marrë urdhër që të arrestonin në çdo qendër të Çamërisë e fshat mysliman, parinë më të përzgjedhur të shqiptarëve çamë.

Ky veprim i Metaksait ishte një tjetër gabim i rëndë, që u pasua nga veprime të gjithfarëllojshme e të pakuptimta”.

Më 10 nëntor 1940, qeveria e Metaxasit nxori Dekretin Ligjor nr. 2636, i njohur si “Ligji i Luftës”, i cili e shpalli Shqipërinë shtet armik (pasi sulmi italian erdhi nga territori shqiptar).

Përmes këtij ligji, Greqia sekuestroi dhe bllokoi të gjitha pronat dhe pasuritë e shqiptarëve, duke përfshirë ato të çamëve myslimanë, duke i zhveshur ata nga çdo e drejtë ekonomike dhe ligjore.

Kjo periudhë e Luftës Italo-Greke shërbeu si parathënie e rritjes dramatike të tensioneve etnike, të cilat kulmuan më pas në vitet 1944–1945 me masakrat e forcave të Napoleon Zervasit (EDES) dhe dëbimin përfundimtar të çamëve nga trojet e tyre.

Kur të internuarit e mbetur gjallë u liruan (pas kapitullimit të Greqisë përpara trupave gjermane në pranverën e vitit 1941), ata u kthyen në Çamëri vetëm për të gjetur shtëpitë e tyre të plaçkitura dhe familjet e terrorizuara nga bandat shoviniste lokale.

Kjo periudhë e parë e internimeve shkatërroi strukturën sociale dhe ekonomike të çamëve, duke e lënë popullsinë të pafuqishme për t’i bërë ballë valës së dytë dhe përfundimtare të gjenocidit në vitet 1944–1945.

Arben Iliazi

camiko.al

Petrit Demi, partizan e EAM/ELAS
Si u arrestuan dhe u internuan krerët e Çamërisë – A. Iliazi

S4-EP3: Endri Fejzullah: Pse nuk po shkojnë